Prokuroria në Francë ka nisur një hetim për “vrasje të rëndë nga pakujdesia” për vdekjen e 5 emigrantëve, të cilët tentuan që të kalonin Kanalin Angelz me varkë.
Prefekti i rajonit Pas-de-Calais, Jacques Billant, u tha gazetarëve se rrjetet kriminale po rrezikonin emigrantët.
“Dalja në det në ujë 7 gradë Celsius do të thotë të shkosh drejt vdekjes”, tha prefekti.
Mediat franceze raportojnë se në varkën e vogël kanë qenë rreth 70 persona, kur mjeti u përmbys në orët e para të mëngjesit të së dielës. Zyrtarët lokalë, sipas BBC, thanë se viktimat ishin nga Iraku dhe Siria.
Përpjekjet e ekipeve të shpëtimit gjatë natës në Wimereux, në jug të Calais arritën që të nxirrnin nga uji dhjetëra emigrantë. Një nga personat që ishte në varkë paraqitet në gjendje kritike për jetën, ndërsa 32 persona të tjerë nuk paraqiten të lënduar.
Dhjetëra të mbijetuar u dërguan në një qendër të komunitetit lokal. Përpjekjet e shpëtimit vazhduan rreth orës 05:00, me disa varka dhe një helikopter të marinës franceze. Roja bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar nuk u përfshi fare pasi incidenti ndodhi në ujërat franceze, shumë afër plazhit pranë Wimereux.