Çelësi i SPAK në hetimin që çoi në pranga një prokuror dhe ish-shefin e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ishin informacione të përcjella nga autoritetet franceze, belge e holandeze të drejtësisë, bisedat e të dyshuarve në platformat dikur të pagjurmueshme “Sky” dhe “EncroChat”.
Me besimin e një komunikimi të sigurit, anëtarët e grupit kriminal kanë marrë e dhënë porosi për vrasje, planifikuar krime, si edhe raportuar realizimin e tyre në kohë reale. “U kry”, ishte një nga këto mesazhe, ku i tregohej të tjerëve se vrasja ishte realizuar me sukses. Mes komunikimeve të zbardhura është edhe porosia e biznesmenit Gjoka ndaj Bejhar Bajrit për një vrasje. Ndonëse është përfolur për një shumë 100 mijë euro në këmbim, biznesmeni ka pohuar se mund të jepte edhe 110.
Por, paratë nuk kanë qenë pagesa e vetme. Në të paktën një rast, rezulton se krimi është bërë me “klering” mes grupit të Bajrajve dhe Ervis Martinajt. Njëra palë ka pranuar të kryejë një vrasje për llogari të tjetrës, me kusht që tjetri të kryente një vrasje për llogari të tyre.
Po sipas dosjes, në një nga vrasjet, autorët i kanë shkuar edhe në varrim viktimës. Prokuroria e Posaçme konfirmoi zyrtarisht të premten lëshimin e 15 urdhër-arresteve për këtë dosje. Gjashtë nga të dyshuarit, përfshi prokurorin Xhevahir Lita, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, u arrestuan, ndërsa nëntë të tjerë janë të shpallur në kërkim.
Në role të ndryshme, SPAK iu ka vënë mbi shpatulla 12 vepra penale, mes të cilave “vrasje me paramendim”, “korrupsion i gjyqtarëve e prokurorëve”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “trafikimit të narkotikëve”, “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, ky hetim ka zbardhur të paktën gjashtë ngjarje kriminale të ndodhura në vend në periudhën 2019-2022. Në role të ndryshme, anëtarët e grupit kriminal dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Gjin Boriçi Ndojit në gusht 2020 në Shkodër, tentativën e vrasjes së Taulant Pepës në të njëjtin qytet në shkurt 2021, krijimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut në Tiranë në vitin 2020, si edhe atë ndaj Ibrahim Liçit, Dorian Dolit dhe Genc Tafilit në vitin 2020.
Nga operacioni i koduar “Metamorfoza” janë kontrolluar edhe 26 banesa e ambiente, ku janë gjetur e sekuestruar shuma monetare, automjete, armë zjarri të ndryshme, maska e pajisje elektronike.