Technologji
Vrasjet e dhunshme të grave në shtetet e Ballkanit Perëndimor, alarm dhe nxjerrje në pah e dobësive të sistemit
Një burrë në Bosnjë vrau bashkëshorten e tij duke e transmetuar vrasjen drejtpërdrejtë në rrjetin social Instagram.
Në Serbinë fqinje, 27 gra u vranë gjatë këtij viti, në sulme me bazë gjinore, megjithë përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë për të përmbysur këtë prirje.
Në Kosovë, veprimtarët thonë se dhuna kundër grave përbën “urgjencë kombëtare”.
Nëpër të gjithë Ballkanin Perëndimor, gratë keqtrajtohen, përdhunohen, rrihen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre, megjithëse e raportojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre tek autoritetet. Shoqëritë e vendeve të rajoni janë tepër konservatore, me tradita shekullore të dominimit mashkullor dhe dhuna ndaj grave ka ardhur duke u shtuar pas luftërave të viteve 90-të dhe krizave politike, ekonomike dhe sociale që kanë vazhduar pas përfundimit të konflikteve.
Si kundërpërgjigje, organizatat e grave në rajon kanë organizuar protesta për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të kërkuar të veprohet. Ato kanë themeluar strehimore për gratë dhe kanë hapur linja telefonike për ndihmë. Por aktivistët fajësojnë autoritetet që nuk po veprojnë më me vendosmëri për të mbrojtur gratë dhe për të kundërshtuar kulturën e mosndëshkueshmërisë.
Publiku në Bosnjë dhe në vendet fqinje, u trondit nga ky realitet brutal në muajin gusht, kur një grua në qytetin boshnjak Gradacaç u godit me armë në kokë nga partneri i saj, gjatë një transmetimi direkt në rrjetin social Instagram.
Vrasja ishte “aq e tmerrshme dhe aq tragjike” sa që “u hapi njerëzve sytë”, tha zonja Jadranka Miliçeviq nga organizata “Cure” (Vajzat).
Në Ballkanin Perëndimor, shumica e shteteve kanë miratuar ligje dhe rregullore për të luftuar dhunën kundër grave, por ato nuk zbatohen plotësisht, thonë aktivistët.
Bosnja, për shembull, ishte në mesin e shteteve të para që ratifikuan Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës ndaj dhunës kundër grave, por, që atëhere, ky fenomen ka ardhur në rritje, thotë zonja Miliçeviq.
“Dhuna kundër grave dhe dhuna në familje janë fenomen global. Ndodhin gjithandej, por mënyra se si reagon shteti ndaj kësaj dhune është çështja kryesore,” thotë Vanja Macanoviq, nga Qendra e Grave Autonome në Serbi. “Fatkeqësisht, ajo që shohim këtu (në Ballkan) është se dhuna lejohet. Është model i sjelljes që nuk dënohet sa duhet publikisht.”
“I kemi nënshkruar të gjitha deklaratat e rëndësishme ndërkombëtare, rezolutat dhe konventat, por zbatimi i tyre është i dyshimtë,” thotë zonja Miliçeviq. “Shumë njerëz ende e shohin dhunën në familje si çështje private ndërmjet dy personave. Nuk e kuptojnë që ky është një problem shoqëror.”
Vëzhguesit u referohen dënimeve të lehta, që Bosnja parasheh për dhunën dhe vrasjen e grave, si një prej problemeve kryesore. Një raport i vitit 2022 nga ekspertët e GREVIO-s, që vëzhgon zbatimin e Konventës së Stambollit, thotë se vendimet e buta të gjykatave ushqejnë një “ndjenjë mosndëshkueshmërie” që ndikon tek dhunuesit dhe viktimat e tyre.
Vetëm në një rast, një vrasës është dënuar me dënimin maksimal prej 40 vitesh për një krim ku gruaja ishte viktima, sipas zonjës Miliçeviq. Gjithsej 65 gra janë vrarë në 10 vitet e fundit dhe pesë gra u kanë mbijetuar sulmeve ndaj tyre në një shtet që ka 3.3 milionë banorë, sipas të dhënave atje.
Situatë e ngjajshme mbretëron edhe në Kosovë, një shoqëri tjetër patriarkale dhe e dominuar nga burrat. Dhunimi i një vajze 11 vjeçare nga pesë persona nxiti protesta u kërkua siguri më e madhe për gratë. Protestat çuan në dorëheqjen e shefit të policisë.
Pak kohë pas këtij rasti, protestuesit sërish dolën nëpër rrugë për të protestuar ndaj dy vrasjeve të tjera në Prishtinë. Një mesuese 63 vjeçare u vra me sopatë nga bashkëshorti i saj, ndërkohë që një grua shtatëzënë u vra në pritë para spitalit nga burri i saj, ndërsa kishte shkuar atje për të lindur.
Që nga viti 2000, 66 gra janë vrarë në Kosovë nga burrat ose partnerët e tyre, në një vend me 2 milionë banorë. Vetëm një prej autorëve të vrasjeve është dënuar me burg të përjetshëm, sipas statistikave.
Aktivistja serbe Macanoviq beson se një pjesë e problemit është fakti që “institucionet nuk mbahen përgjegjëse” dhe se nuk ka pasoja për gabimet që ato bëjnë në menaxhimin e rasteve. Kjo situatë i shkurajon gratë t’i drejtohen shtetit për ndihmë, sidomos në komunitete të vogla, shton ajo.
“Nuk kemi një sistem të strukturuar të përgjegjësisë për veprimet e gabuara të punonjësve të veçantë, apo të mungesës së veprimeve nga ana e tyre,” thotë ajo. Rrallë ndodh që policët, shërbimet sociale, prokurorët apo zyrtarët gjyqësorë të mbahen përgjegjës nëse bëhen gabime dhe një grua vritet.
Përballë një valë dhune dhe vrasjeve të grave, në vitin 2017 Serbia filloi zbatimin e një ligji të posaçëm që thellon bashkëpunimin ndërmjet agjencive, parasheh ndërmarrjen e menjëhershme të masave kundër autorëve të sulmeve dhe themelon grupe punuese në nivelin lokal për parandalimin e dhunës.
Gjatë një takimi të mbajtur së fundmi në Beograd për të shënuar fushatën globale kundër dhunës ndaj gruas, Ministri serb për të drejtat e njeriut dhe pakicat Tomislav Zigmanov premtoi përpjekje të shtuara në këtë aspekt. Zoti Zigmanov bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet organizatave lokale për të parandaluar dhunën dhe për të vëzhguar procesin penal.
“Organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë partnerët tanë në përpjekjen për të krijuar shoqëri tolerante me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë” tha ai.
Në Kosovë, Ministria e Drejtësisë po dërgon mesazhe telefonike si paralajmërim kundër dhunës dhe për të nxitur gratë të raportojnë sulmet. Zyrtarë të lartë në Kosovë kanë kërkuar publikisht dënime më të ashpra për autorët e dhunës dhe kanë kriktikuar praktikën e mëparshme.
“I tërë sistemi i drejtësisë duhet t’u jap përparësi rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave,” deklaroi Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë konferencës me titull “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”. Zoti Kurti citoi “raste kur kriminelët janë liruar dhe kanë kryer krime edhe më të rënda se herën e parë.”
Bosnja gjithashtu ka miratuar para disa vitesh një ligj për parandalimin e dhunës në familje dhe autoritetet janë zotuar se do të bëjnë më shumë. Por në shoqëritë që kanë kaluar nëpër luftëra, ku ekonomitë dhe institucionet u shkatërruan dhe ku ndasitë etnike, politike dhe sociale shpesh nxiten nga autoritetet në vend që të parandalohen, ndyshimet ligjore nuk mjaftojnë, thonë ekspertët.
Dhuna ka vazhduar dhe do të vazhdojë, thotë zonja Vesna Stanojeviq, drejtuese e një rrjeti strehimoresh për gratë në Serbi. “Nganjëherë pranojmë gra që janë aq shumë të rrahura sa nuk mund të ecin apo ta lëvizin kokën, që vinë pasi kanë qëndruar në spital, që janë në prag të lindjes, që kanë lëndime në bark,” thotë ajo.
“Ku i kanë mësuar (sulmuesit) këto gjëra? Kush janë shembujt për fëmijët tanë?” thotë ajo. “Duhet t’i edukojmë dhe është e qartë që ne (shoqëritë) nuk po e bëjmë këtë.”
Aktualisht, mbi 40 gra dhe fëmijë po qëndrojnë në strehimoret e organizatës që ajo drejton, sipas saj. “Për 32 vite të punës sime, nuk kam parë rënie të dhunës… Nganjëherë ka më shumë, nganjëherë më pak, por përgjithësisht gjithmonë ekziston.”
Në njërën nga strehimoret, një grua 26 vjeçe tha se kishte vendosur ta braktiste partnerin e saj kur vërejti shenja të rrahurash edhe në trupin e foshnjes të saj. Gruaja, e cila nuk deshi të identifikohet për shkaqe sigurie, tha se partneri e dhunonte dhe rrihte vazhdimisht dhe se e mbante të mbyllur me foshnjën në apartamentin e tyre me orë të tëra.
Pasi u largua prej tij, ajo përfundoi në spital me lëndime në gjoks dhe shenja plagësh. Burri I saj u ndalua nga policia. “E rrahura e fundit ishte shumë e keqe,” thotë ajo. “E kuptova që nëse ndodhte sërish, as unë, e as bebja, nuk do të shpëtonim gjallë.”
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
