Prokurorët amerikanë do të kërkojnë dënimin me vdekje për Luigi Mangione, i riu i akuzuar për vrasjen e CEO të UnitedHealthcare Brian Thompson në dhjetor.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha në një deklaratë të martën se ajo kishte urdhëruar prokurorët federalë të kërkonin dënimin për “vrasjen e paramenduar, gjakftohtë”.
Thompson u qëllua për vdekje jashtë një hoteli në Nju Jork më 4 dhjetor. Policia arrestoi Mangione, 26 vjeç, javë më vonë në Pensilvani pas një ndjekjeje mbarëkombëtare.
Në deklaratën për shtyp, Bondi tha se vrasja e Thompson “ishte një akt dhune politike” dhe se “mund të ketë paraqitur rrezik të madh për vdekje për persona të tjerë” aty pranë.
Hetuesit thonë se Mangione ishte i motivuar të vriste Thompson, 50 vjeç, për shkak të zemërimit me kompanitë amerikane të sigurimit të kujdesit shëndetësor.
Mangione po përballet me 11 akuza penale shtetërore në Nju Jork, duke përfshirë vrasjen e shkallës së parë dhe vrasjen si krim terrorizmi.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai do të përballet me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.