Një gjykatë në Stamboll dënoi me dy vjet e gjysmë burg një burrë që vrau me dashje një mace endacake dhe iu ndalua të largohej nga vendi. Ky është dënimi më i ashpër i dhënë ndonjëherë në Turqi sipas ligjit për mbrojtjen e kafshëve.
Stambolli është i famshëm për numrin e madh të maceve endacake, të cilat askush nuk i prek dhe njerëzit kujdesen për to dhe i ushqejnë.Videoja e publikuar në gjykatë tregon se si i dënuari ndoqi qëllimisht macen, e quajtur Eros, dhe e goditi për vdekje në një ashensor më 1 janar, raporton Anadolu Agency.
Ngjarja shkaktoi indinjatë dhe zemërim të madh në Turqi. Qindra aktivistë të të drejtave të kafshëve u mblodhën në gjykatë dhe përballë saj, duke thirrur “vrasës”. Hashtagu “Drejtësia për Erosin” ka qenë në trend ditët e fundit në rrjetet sociale.Vetëm shpallja e aktgjykimit, e cila ende nuk është përfundimtare, u ndoq të enjten në sallën e gjyqit nga disa politikanë dhe aktivistë. Ministri turk i Drejtësisë Yilmaz Tunc njoftoi në X, se ishte dënimi më i lartë i vendosur deri më tani sipas ligjit të Turqisë për mbrojtjen e kafshëve.