Rreth 10 persona janë marr në pyetje përgjatë 24 orëve nga Policia e Vlorës në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në lagjen “Hajro Cakërri”, ku humbi jetën ndërtuesi Armando Meshau.
Personat në fjalë kanë qenë kryesisht dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes të cilët kanë parë konfliktin, por edhe familjarë si të viktimës dhe autorit. Dëshmitarët në polici kanë treguar rrjedhën e ngjarjes në fjalë, konfliktin si nisi dhe si u zhvillua, teksa familjarët kanë dëshmuar në polici në lidhje me konfliktin për një apartament, nëse kanë patur apo jo dijeni.
I pyetur në polici pas arrestimit Rei Mete ka mbajtur një qëndrim të njëjtë duke treguar të njëjtin version të ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, Mete ka thënë se nuk ka patur motiv për ta vrarë teksa në qendrën e internetit janë takuar rastësisht sipas tij pasi të dy do të printonin disa dokumente.
Rei Mete rrëfen gjithashtu se viktima, Armando Meshau, e ka sharë i pari dhe e ka goditur ai kur konflikti është përshkallzuar. Meta gjithashtu ka treguar se ka goditur për vetëmbrojtje teksa pretendon se 55-vjeçari e ka humbur jetën nga përplasja me tokën, ose ndonjë orendi të internet-kafesë, në momentin kur është rrëzuar rrjedhojë e grushteve. Sipas tij vdekja e 55-vjeçarit pretendohet të jetë aksidentale.
Në anën tjetër burimet e policisë së Vlorës konfirmojnë se Rei Mete fuste shpesh herë sekser për pronat në Vlorë. Sipas tyre, ai mbante përgjegjësi në emër të së ëmës. Mete kërkonte që për lejet e pronave që jepeshin, apo zgjidhjen e marrëveshjeve të mbante dhe ai përfitime. Në këtë rast është bërë një marrëveshje mes palëve për një pronë, për të cilën pas marrëveshjes, Armando Meshau e ka gjetur dakortësinë me palën e tretë. Mete pretendonte se viktima duhet t’i jepte një apartament pavarësisht se nuk ishte ai personi që zgjidhi konfliktin.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë që janë sekuestruar dhe janë në dispozicion të policisë do të japin një version të saktë të ngjarjes. Në lidhje me pamjet filmike policia vijon të mbetet e rezervuar dhe nuk ka një version zyrtar për to apo për komplet ngjarjen në fjalë. Detaje të reja priten në vazhdim.