Një 50-vjeçar shqiptar është vrarë në një pikë karburanti në qytetin e Selanikut nga një bashkëatdhetar i tij.
Mediat greke kanë publikuar dhe pamjet e rënda të vrasjes, ku 50-vjeçari shihet teksa qëllohet me 3 plumba nga bashkëatdhetari i tij.
Sipas mediave greke, dy shqiptarët janë përplasur për mosmarrëveshje financiare. Ata mësohet se ishin miq dhe të njohur në zonën ku ka ndodhur ngjarja.
Autori dhe viktima kanë qenë ulur së bashku në të njëjtën kafene përpara ngjarjes ku kanë debatuar me njëri tjetrin.
Pas largimit nga kafeneja ata kanë shkuar në një pikë karburanti ku kanë vijuar debatin. Siç shihet dhe nga pamjet, autori qëndron në makinë teksa vijon debati me viktimën i cili ndodhet jashtë. Në një moment 50-vjeçari tenton ta qëllojë nga jashtë makinës, por kundërpërgjigjja me armë bën që ai të ndërrojë jetë në vend.
“Njëri nga të dy doli nga automjeti i tij dhe qëlloi tjetrin me armë dhe u zhduk, para syve të tmerruar të kalimtarëve”, ka thënë për mediat greke një dëshmitar.
Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në rrugën Solonos, në zonën lindore të Selanikut, mesditën e kësaj të enjteje.