Vuçiç fitoi zgjedhjet e parakohshme, REL: Ja si u transportuan votuesit nga Kosova dhe Bosnja drejt Serbisë

albnews
By
5 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Votues nga Kosova, të organizuar me autobusë, shkuan në qytetet kufitare të Serbisë për të votuar në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Autobusët që udhëtuan nga pjesa veriore e Kosovës – e banuar me shumicë serbe – për në Rashkë të Serbisë, i kishin kryesisht të mbuluar emrat e kompanive me shirita të bardhë.

Se kush qëndron pas organizimit të tyre, Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta përcaktojë.

Sipas të dhënave që siguroi REL-i, në zgjedhjet në Serbi votuan kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, si dhe pensionistë serbë.

Punonjësit në institucionet serbe u informuan një ditë më herët se ku dhe kur saktësisht do të votojnë.

Autobusët e parë u nisën rreth orës 6:00 të mëngjesit, ndërsa të tjerë vazhduan çdo gjysmë ore deri në një orë.

Kështu për shembull, në orën 7:00 të mëngjesit, një autobus me punonjës të autoritetit të përkohshëm të Prishtinës u nis nga Graçanica, i ndjekur nga një tjetër me punonjës të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, si dhe pensionistë.

Njëri prej autobusëve që u nis nga veriu i Kosovës drejt Rashkës, kishte targa të Kosovës dhe një numër telefoni.

Në telefonatën që bëri REL-i, personi që u përgjigj, mohoi se ka marrë pjesë në transportimin e votuesve në Serbi.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Graçanicë, afër Prishtinës. Përfaqësues të kompanisë “Arsa Prevoz”, në pronësi të Igor Arsiqit – autobusët e të cilit transportuan votues në qendra të votimit – nuk deshën të tregojnë se kush i ka angazhuar.

Edhe pse në disa pamje nga Mitrovica e Veriut dukeshin autobusë të kompanisë vendase “Joe Travel”, pronari i saj, Goran Antiq, tha se autobusi i tij vetëm ishte i parkuar në stacionin e autobusëve dhe se në të shkruhej qartë se endet në relacionin Mitrovicë e Veriut – Beograd.

Sipas informacioneve të REL-it, organet e përkohshme komunale, që funksionojnë në sistemin serb në Kosovë, u përfshinë në organizimin e transportit.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Ivan Zaporozhac, nuk ishte i qasshëm në telefon dhe nuk iu përgjigj mesazhit që i dërgoi REL-i përmes aplikacionit Viber.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq, Zoran Todiq, tha se ishte i zënë dhe “të telefononim më vonë”, por më vonë nuk ishte i qasshëm.

Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm të Prishtinës, pasi e dëgjoi pyetjen, e mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

Në krye të të ashtuquajturave autoritete të përkohshme në Kosovë janë zyrtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila u themelua me mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të partisë që ai udhëhoqi deri vonë – Partisë Përparimtare Serbe.

Transportim i votuesve edhe nga Bosnje e Hercegovina
Automjete të kompanisë së një sipërmarrësi – i cili u ndalua në prag të zgjedhjeve në Nikshiq të Malit të Zi dy vjet më parë dhe të cilit i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi nga Bosnje dhe Hercegovina vitin e kaluar – u panë në vendin nga ku votuesit nga Bosnje dhe Hercegovina u transportuan për të votuar në zgjedhjet e së dielës në Serbi.

Së paku pesë automjete me shenjat e kompanisë për siguri “T&M Group Solutions” u panë në ditën e zgjedhjeve nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë pranë “Shtark Arenës” në Beograd, që është hapësira më e madhe për koncerte dhe sporte në kryeqytetin e Serbisë. Gjatë asaj kohe, grupe burrash – pa shenja të sigurisë – pamundësuan hyrjen në sallë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Serbi, bëhet fjalë për një kompani që ka drejtor dhe bashkëpronar ish-hendbollistin serb, Dane Shijan.

Se kush e financoi transportin e votuesve dhe sa votues nga Republika Sërpska e Bosnjës votuan në qendrat e votimit në Beograd, nuk dihet ende.

Share This Article