Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ka një propozim nga Gjermania dhe Franca ku Serbisë i kërkohet të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ai tha se në këmbim, edhe pse nuk ishte e specifikuar, Serbia do të anëtarësohej më shpejt në BE dhe do të kishte përfitime të konsiderueshme ekonomike.
Vuçiç deklaroi se nuk mund ta pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, megjithatë tha se në tavolinë është një propozim nga dy superfuqi evropiane i cili duhet diskutuar dhe menduar.
“Propozimi i dy vendeve më të fuqishme nuk mund të ‘hidhet nga dritarja’”, është shprehur Vuçiç në një konferencë për media, shkruan Tanjug.
Vuçiç, pas takimit që pati me kryeministren Ana Bërnabiq, ka deklaruar se nuk ka vullnet nga lidershipi serb për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.
“Ne mund të flasim për çdo gjë tjetër, edhe pse gjithmonë do të ketë tema që ata do të shpikin vetëm që ne të merremi me atë që u përshtatet atyre, vetëm që asgjë të mos jetë kurrë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Kujtojmë se gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, presidenti serb u takua me homologun francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.