Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vetmi fajtor për situatën në veri të vendit dhe që kërkon të sjellë rajonin në prag të kolapsit.
Sipas Vuçiçit, Kurti kërkon të shkaktojë një konflikt të madh ndërmjet serbëve dhe NATO-s, e të çojë në gjakderdhje të gjithë rajonin.
Në një fjalim të jashtëzakonshëm Vuçiç tha se pakkush ka dashur të kuptojë thelbin e gjithçkaje që po ndodh në Kosovë.
“Në tre ditët e fundit edhe një person i pafuqishëm dhe analfabet politik ka mundur të kuptojë se çfarë po përgatitej për sot dhe gjithçka në organizatën e Kurtit, me dëshirën për të pasur një konflikt të madh mes serbëve dhe NATO-s dhe ai që është i vetmi fajtor për gjithçka që po ndodh, se ai lan duart si Pilati dhe thotë se nuk ka lidhje me këto ngjarje”, tha Vuçiç.
Vuçiç ka theksuar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë ka kërkuar të bisedojë me komandantin e KFOR-it dhe nëse nuk realizohet atëherë do të jetë shumë vonë, shkruan Tanjug.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsiloviç ka kërkuar takim me komandantin e KFOR-it Ristuca. Kërkojmë nga Kvinta të arsyetojë me Kurtin, nëse nuk e bëjnë, mendoj se do të jetë vonë për të gjithë ne”, tha Vuçiç.