Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se vendi i tij mbështet integritetin territorial të të gjitha vendeve të OKB, përfshirë dhe atë të Ukrainës.
Por lideri serb, hoqi një paralele mes vendit në luftë dhe Serbisë, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndjekur të njëjtën linjë sa i përket Kosovës.
“Ne jemi në kërkim të një përgjigjeje të qartë të pyetjes që unë ua kam bërë bashkëbiseduesve, liderëve të shumë shteteve për vite me radhë, cili është dallimi në mes të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, pasi kjo e fundit është përballur me shkelje të rënda, të cilave shumë prej jush u keni dhënë njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet. Unë nuk kam marrë kurrë një përgjigje racionale në këtë pyetje nga askush”, tha Vuçiç.
Mes të tjerash, presidenti Vuçiç u shpreh se Serbia do të vijojë të kërkojë kompromis me Kosovën, ndërkohë që hodhi poshtë zërat se vendi i tij është një kërcënim për rajonin.
“Kompromisi është mënyra e vetme për të arritur paqe afatgjatë. Ne tashmë kemi shterur të gjithë mundësitë tjera dhe nuk po mendojmë të kthehemi në rrugën e luftës dhe përgjakjes. Mjafton t’ju kujtoj një njoftim të mediave botërore se Serbia do të sulmojë fqinjët, dhe që përbën kërcënim për stabilitetin rajonal. Natyrisht, diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë, dhe ka qenë vetëm një prej serive të gënjeshtrave kundër Republikës së Serbisë”, shtoi Vuçiç.
Për të mbështetur retorikën e fqinjësisë së mirë, Vuçiç solli shembullin e nismës së Ballkanit të Hapur, e cila sipas tij synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Pavarësisht përfitimeve të padiskutueshme ekonomike, nisma ka dimension më të gjerë, lidh njerëzit me kultura të ndryshme dhe promovon diversitet. Në këtë mënyrë, Serbia synon të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe pajtim në rajon”, përfundoi Vuçiç.