Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk ka pranuar që të komentojë marrëveshjen e arritur mes BE-Kosovë më 10 korrik në lidhje me hapat për shtensionimin e situatës në veri.
Ai u ndal konkretisht te kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ndaj Beogradit dhe Prishtinës për uljen e tensioneve, duke u shprehur, sikurse bën me dije REL, se po kërkohet arsye për të fajësuar Serbinë.
“Tani do të shihni një truk tjetër që disa njerëz nga Perëndimi po përpiqen ta zbatojnë. Dhe kjo nënkupton [që ata do të thonë] – kthehuni dhe flisni normalisht”, tha Vuçiç, duke shtuar se mënyra që kërkohet për shtensionimin e veriut, është e pakuptimtë për të.
“Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, tha Vuçiç, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore në veri të vendit.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.