Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se autoritetet arrestuan të dy prindërit e 13-vjeçarit që vrau bashkënxënësit në një shkollë të Beogradit.
Djali qëlloi për vdekje tetë nxënës dhe një roje sigurie në një sulm të planifikuar paraprakisht, thanë zyrtarët, duke bërë që presidenti i Serbisë të shpallte kufizime më të ashpra mbi zotërimin e armëve.
Duke përdorur dy pistoleta që i përkisnin babait të tij, 13-vjeçari qëlloi fillimisht në drejtim të rojes dhe tre vajzave në një korridor dhe më pas qëlloi mësuesin dhe shokët e tij të klasës në një mësim historie, tha policia. Mësuesi dhe gjashtë nxënës u shtruan në spital, disa prej tyre me lëndime të rrezikshme për jetën.
Ndërsa Serbia përgatitej për tri ditë zie kombëtare, Vuçiç njoftoi një moratorium për licencat e reja të armëve përveç gjuetisë, një rishikim të lejeve ekzistuese dhe mbikëqyrjen e poligoneve të qitjes dhe mënyrën se si civilët i ruajnë armët e tyre.
Sulmuesi, i cili u dorëzua në polici është 13-vjeç dhe nën moshën e përgjegjësisë penale të Serbisë. Për këtë arsye do të vendoset në një institucion psikiatrik, tha Vuçiç në një konferencë shtypi të mbrëmjes, duke shtuar se babai dhe nëna e tij ishin arrestuar.
Të shtënat e së mërkurës ndodhën në Vladislav Ribnikar, një shkollë fillore në Vraçar, një lagje qendrore e Beogradit.