Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u takua me kreun e komandës së forcave të përbashkëta të NATO-s, admiralin Stuart Munsch, me të cilin diskutoi për situatën në Kosovë, si dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me NATO-n.
Në një intervistë për agjencinë serbe Beta, pas takimit, admirali Munsch deklaroi se KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe se është i gatshëm të garantojë një mjedis të sigurt.
“KFOR është plotësisht i aftë dhe i gatshëm të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit nga viti 1999”, tha admirali Stuart Munsch.
Ndërsa theksoi shtimin e patrullimeve dhe pranisë në veri, komandanti i KFOR kërkoi që të gjithë aktorët të jenë në koordinim të ngushtë me misionin e NATO-s, dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës në të ardhmen.
Ai tha se NATO-ja i bën thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por tha se “për fat të keq, ajo rregullisht bën pikërisht të kundërtën”.
Sakaq, presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se kishte theksuar në takim se Serbia do paqe dhe stabilitet më shumë se gjithçka.
“Ne ju kërkojmë të mbroni njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe rezolutës 12 44”, mësohet t’i ketë thënë Vuçiç admiralit.