tyre ishte duke u stërvitur pak ditë para 24 shtatorit në një nga poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe.
“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim – aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Në përpjekje të realizimit të këtij qëllimi institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake logjistike dhe financiare”, tha zoti Sveçla duke shtuar se “në deklarimet publike presidenti serb është munduar ta mohojë faktin se shteti ka qenë i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit, mirëpo pamjet e publikuara janë dëshmi e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim”.
“Plani i tyre ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi të cilat nuk mund t’i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimin e veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitë tona policore jo vetëm në Banjskë e Zveçan, por në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë me Serbinë dhe furnizimet tjera me njerëz, materjale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në atë pjesë”, tha zoti Hoxha.
NATO-ja tha të premten se ka miratuar “forca shtesë për Kosovën” që do të mbështesin rreth 4 mijë e 500 trupa sa ndodhen në terren për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.
Sulmi i një jave më parë është cilësuar nga ngjarjet më të rënda që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.
Të dyja palët ka mbi një dekadë që janë të përfshira në një proces bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të mbesin të larta. Më herët gjatë vitit Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk janë shënuar ende hapa domethënës në zbatimin e saj.