Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia s’do të mund të thoshte kurrë se “Kosova është pjesë e Serbisë”, nëse nuk do t’i bashkohej dënimit të pushtimit rus në Ukrainë.
“Serbia duhet të respektojë integritetin territorial dhe ta bazojë politikën në këtë. Ne i respektojmë normat ndërkombëtare, mbajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë të Serbisë. Nëse s’do të dënonim pushtimin e Ukrainës, ne nuk do të kishim kurrë të drejtën morale të përdornim këtë argument”, ka thënë Vuçiq të martën në mbrëmje për “B92”.
Vuçiqi ka shtuar se nga e enjtja më s’do të ketë eksporte të miellit, grurit dhe vajit nga Serbia. Sipas tij, Serbia ka mjaftueshëm për veten dhe rajonin.
Vuçiq ka thënë se është në biseda të vazhdueshme me ambasadorët e QUINT-it për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në prill, edhe brenda territorit të Kosovës.