Faton Vukshinaj ka fituar titullin e parë të tij në karrierë në boksin profesionist.
Ish-kampioni botëror në kikboks, të shtunën mbrëma në Bazel të Zvicrës nokautoi rumunin Florin Cardos në raundin e dytë duke e fituar kështu titullin WBC Francophone në kategorinë e mesme.
Vukshinaj e rrëzoi Cardosin dy herë, ndërsa pasi e rrëzoi për herë të dytë gjyqtari ndërpreu luftën.
Për Vukshinajn 30-vjeçar është fitorja e 13-të në boksin profesionist, 8 prej tyre i ka me nokaut, karshi dy barazimeve.
Cardos ka pësuar humbjen e tretë, karshi 21 fitoreve sa i ka.
“Jam shumë i lumtur me fitoren. Shpresoj që ky titull të më hap rrugën për të luftuar për tituj më të mëdhenj”, ka thënë Vukshinaj për KOHËN.
Në parameç të Vukshinajt, boksoi kosovari tjetër Behar Sadiku. Ai triumfoi me pikë pas gjashtë raundeve ndaj gjeorgjianit Nikolozi Gvinashvili, në meçin e kategorisë super të mesme. Tre anëtarët e jurisë ia dhanë fitoren Sadikut. Dy e vlerësuan luftën 60:54 në favor të Sadikut e njëri 59:54.
Për Sadikun është fitorja e 5-të në po aq meçe. Gvinashvili ka pësuar humbjen e 26-të, karshi 15 fitoreve e katër barazimeve.