Këshilli Botëror i Boksit (WBC) ka krijuar një kategori të re në boksin profesionist. Kategoria e re përfshinë peshën nga 90,7 kilogramë e deri 101,6 kilogramë, ndërsa ka marrë emrin “bridger”, sipas djalit 6-vjeçar Bridger Walker.
Amerikanit të vogël i ishte kafshuar fytyra nga qeni, duke e mbrojtur motrën dyvjeçare.
Më herët WBC-ja ia dhuroi brezin e kampionit djaloshit nga Wyomingu.
WBC-ja, që është një prej katër versioneve më të mëdha të boksit profesionist, ka vendosur ta krijojë këtë kategori të re që gjendet mes asaj kruizer dhe super të rëndë, për të zvogëluar dallimin e madh në peshë mes dy kategorive. Kategoria kruzer është nga 79,3 kilogramë deri në 90,7.
Versionet tjera të mëdha botërore si WBA, WBO dhe IBF ende nuk kanë marrë inciativë për krijimin e kësaj kategorie.
Raportohet se një prej emrave të mëdhenj që do të mund të zinte vend në këtë kategori, është amerikani Deontay Wilder, ish-kampioni i peshës së rëndë. Wilder ka humbur titullin WBC në peshën e rëndë, duke pësuar me nokaut në raund të shtatë nga britaniku Tyson Fury.
Emër tjetër i mundshëm është edhe ukrainasi Oleksandr Usyk.
WBC-ja ka publikuar renditjen e parë për këtë kategori të re, ndërsa në vendin e 19-të në këtë renditje figuron edhe boksieri kosovar Labinot Xhoxhaj, që karrierën e zhvillon në Zvicër. Listës i kryeson kolumbiani Oscar Rivas, që zakonisht ka boksuar në peshën e rëndë.
Xhoxhaj 27-vjeçar ka bilanc në boks profesionist prej 13 fitoreve nga po aq meçe, prej tyre 10 me nokaut.
Ai në fundjavë në Pejë do të luftojë për titullin UBF Inter-Continental në peshën e rëndë me hungarezin Tamas Lodi. Xhoxhaj ndonëse kishte filluar në peshën kruzer, në meçet e fundit kryesisht ka boksuar në peshë nga 95 deri në 100 kilogramë.