Mesfushori Elvis Rexhbeçaj në janar u huazua te Koelni për një vit e gjysmë nga Wolfsburgu.
Koelni po ashtu ka edhe opsionin për të blerë futbollistin në verën e vitit 2021, por prapë do të jetë Wolfsburgu që do të vendos për të ardhmen e futbollistit, shkruan “Sportbuzzer.de”.
Sipas kësaj faqe, Koelni mund ta transferojë Rexhbeçajn 22-vjeçar për shtatë milionë euro, por vetëm nëse pranon Wolfsburgu që ta shesë.
Rexhebeçaj nuk dëshiron të flas për detaje të kontratave. Ai po koncentrohet në karrierën e tij. Dëshiron që te Koelni të bëjë hapin e radhës. Veçanërisht në fitoret 5:0 ndaj Herthas dhe 3:0 ndaj Schalkes ai mori lëvdata. Ai në të dy ndeshjet kishte asistuar nga një gol.
“Unë po ndjehem mirë. Djelmoshat më kanë pritur mirë. Në fushë si futbollist nuk të duhet shumë kohë për t’u adaptuar. Po ashtu më ka ndihmuar familja, pasi çdo fundjavë ishte tek unë në Koeln”, ka thënë Rexhbeçaj. “Në fillim nuk ishte e lehtë. Duhej të kujdesesha vet për gjitha gjërat, si pastrimin e shtëpisë e gjëra tjera. Por, mësohesh me çdo gjë”.
Atë po e viziton shpesh vëllai Blendardi.
Koelni ishte në formë të mirë para pauzës së koronavirusit.
Ndeshjen e fundit e humbi 2:1 nga Borussia Moenchengladbachu, ndeshje që u luajt pa shikues.
“Nuk janë të bukura këto ndeshje pa shikues. Por, më me qejf luaj pa shikues sesa të mos luaj fare. Përndryshe po stërvitemi për asgjë”, ka thënë mesfushori.
Njëjtë mendojnë edhe ish-kolegët e tij te Wolfsburgu.
“Me Admir Mehmedin flas rregullisht. Ai më ka ndihmuar shumë. Edhe me Joshua Guilavoguin kam kontaktuar herë pas here. Kevin Mbabu po ashtu më ka shkruar dhe natyrisht se kam kontakt edhe me shumë të rinj në klub”, ka thënë Rexhbeçaj.
Në maj të vitit të kaluar ai vazhdoi kontratën me Wolsburgun eri në vitin 2023.
Por, ai humbi vendin në skuadër pas ndërrimit të trajnerit dhe u vendos se është më mirë të huazohet te një klub ku do të luante rregullisht.
“Unë po koncentrohem te detyrat e mia te Koelni. Por, normalisht Wolfsburgu më ka dhënë shumë dhe e di se kujt duhet t’i falënderohem”, ka thënë 22-vjeçari.