Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka kritikuar Gjermaninë për gjestin e saj në nisje të ndeshjes në grupet e Botërorit, kundër Japonisë, ku lojtarët mbyllën gojët e tyre në shenjë proteste për vendimin e FIFA-s për të ndëshkuar me kartonë të verdhë kapitenët e skuadrave që do të mbanin në krah shiritin me stemën “One Love”, pasi në Katar konsiderohet si promovim i homoseksualizmit.
“Nuk i kam parë fotot por kam dëgjuar të flitet për to. Është një veprim që e kanë vendosur ata dhe nuk besoj se mund të bëjmë ndonjë gjë si skuadër. Duhet të respektojmë rregullat dhe të përqendrohemi te futbolli. Unë këtë kam ndërmend të bëj”, tha Xhaka në konferencën për mediat para ndeshjes së Zvicrës me Kamerunin, të vlefshme për grupin G.
Zvicra ishte një nga skuadrat që kishte deklaruar para turneut se kapiteni i saj do të mbante shiritin në fjalë, ai simbol i luftës kundër homofobisë, por Xhaka shtoi: “Jemi këtu për të luajtur futboll dhe jo për të edukuar të tjerët”.
Më parë, një drejtues i Federatës Zvicerane të Futbollit kishte deklaruar se Xhaka do të kishte dashur të mbante shiritin “One Love”, por është vendosur se do të mbahet shiriti i dhënë nga FIFA me një mesazh antiracist, një mesazh që sipas tij “është pozitiv dhe tregues i vlerave tona”.