Granit Xhaka është i gatshëm të heqë dorë nga shiriti i kapitenit te Zvicra dhe t’ia ofrojë atë Xherdan Shaqirit, nëse shiriti është çështja që e ka shtyrë Shaqirin të mos grumbullohej me helvetikët për ndeshjet e shtatorit.
Zvicra të enjten mbrëma luajti 1:1 me Irlandën, ndërsa Xhaka ishte kapiten. Shaqiri mungoi në këtë ndeshje. Ai nuk është grumbulluar me arsyetim zyrtar se dëshiron të koncentrohet te Liverpooli ku po luan pak.
Por mediat zvicerane, para së gjithash “Blick”, kanë shkruar se arsyeja është tjetër dhe se Shaqiri është i hidhëruar që nuk është zgjedhur kapiten i Zvicrës. Mediat zvicerane kanë vazhduar të mundohen të acarojnë raportet mes Xhakës e Shaqirit, duke e pyetur të parin për mungesën e Shaqirit dhe duke komentuar që “ai është i hidhëruar që përzgjedhësi të ka zgjedhur ty para atij”. Dhe Xhaka ka dhënë deklaratë që lë hapësirë të interpretohet që raportet mes tyre nuk janë më të mirat.
“Nëse vërtet problemi është me shiritin e kapitenit, atëherë ne mund të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë. Ai dhe unë. Mendoj që jemi sa duhet të pjekur të flasim për këtë. Nëse ky është vërtetë problemi, ai mund të ketë shiritin e kapitenit. Nuk ka problem. Për mua nuk ka problem nëse e kam shiritin e kapitenit apo jo. Unë mundohem të ndikoj në ekip, me apo pa shirit”, ka thënë Xhaka.
Mediat helvetike kanë vazhduar të merren me këtë temë, duke hapur anketë se kush duhet të jetë kapiten.
Pavarësisht mungesës së Shaqirit dhe deklaratave të Xhakës është e qartë se Zvicra në të ardhmen do të ketë një kapiten shqiptar.