Granit Xhaka është simbol tashmë te Zvicra, teksa ndaj Bjellorisisë mbrëmjen e sotme regjistroi ndeshjen e 118-të me fanellën e helvetëve.
Mesfushori me origjinë shqiptare, kësisoj ka barazuar rekordin e Heinz Hermanit për më së shumti ndeshje të zhvilluara me Zvicrën, teksa tashmë askush nuk ka më shumë ndeshje se Xhaka.
31-vjeçari më 4 qershor të vitit 2011 debutoi me fanellën e Zvicrës në ndeshjen kundër Anglisë në “Uembli” të Londrës.
Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa ka shënuar 14 gola. Një ndeshje më pak të zhvilluar se Xhaka për Zvicrën e ka Xherdan Shaqiri, i cili sot regjistroi ndeshjen e 117-të, ndërsa ka shënuar 28 gola.