Futbolli është sporti më popullor në botë me mbi 4 miliardë tifozë, të cilët e konsiderojnë atë një pasion, dhe ndonjëherë edhe një fe. Sa i përket cilësisë dhe traditës së kësaj loje, Evropa konsiderohet nga shumë njerëz si vendi më tërheqës për talentet, sponsorët, investitorët dhe tifozët.
Një sukses i tillë, pasqyrohet edhe nga të ardhurat totale të gjeneruara nga 5 ligat më të mira evropiane të futbollit (Angli, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë) që arritën të arkëtojnë në sezonin 2020-2021 shumën e përbashkët prej 18.1 miliardë eurosh.
Megjithatë, jo gjithçka që shkëlqen është ar. Kjo prirje rritëse ka prodhuar një efekt inflacionist në pagat e lojtarëve profesionistë, që në kundërshtim me kolegët e tyre në disa sporte profesionale në SHBA, përfitojnë nga mungesa e një kufiri të pagës.
Një shembull tipik që shkaktoi debate kohët e fundit, ishte kontrata më e fundit 4–vjeçare e yllit të futbollit Lionel Mesi, që nënshkroi në vitin 2017 një marrëveshje për shumën marramendëse 555 milion euro.
Kostot me të cilat duhet të përballen klubet profesionale të futbollit, e sfidojnë fort modelin e një biznesi të qëndrueshëm. Duke pasur parasysh pagat astronomike të disa yjeve të futbollit, një pyetje që po e bëjnë shpesh shumë vëzhgues por edhe tifozë është:A i meritojnë vërtet lojtarët profesionistë të futbollit pagat e mëdha që marrin?
Në një studim të marsit të këtij viti, të kryer nga ne dhe në bashkëpunim me Alesandro Piaca (Universiteti Rajs, Shtetet e Bashkuara), Fabricio Kasteluçi (Universiteti Bokoni, Itali) dhe Sajrus Mohadjer (Shkolla e Menaxhimit IESEG, Francë), u përpoqëm të hedhim dritë mbi këtë temë duke gjurmuar mospërputhjet e mundshme midis performancës së lojtarëve dhe pagave të tyre që gjenerohen nga niveli i tyre i famës, dhe statusi që gëzojnë.
Bazuar tek të dhënat mbi 471 lojtarë nga 5 ligat kryesore evropiane të futbollit gjatë 2sezoneve radhazi (2015-2016 dhe 2016–2017), studimi ynë tregon se personazhi i famshëm
(i matur përmes numrit të ndjekësve dhe të “pëlqimeve” (like) që ka marrë çdo lojtar nga tifozët në faqen e tyre zyrtare publike në Facebook), dhe statusit (i matur përmes numrit të paraqitjeve në ekipin e tyre kombëtar) kanë një ndikim në marrëdhëniet midis pagave dhe performancës së lojtarëve (i matur nga të dhënat e disponueshme në faqen Ëhoscored ).
Më konkretisht, rezultatet tregojnë se për performuesit mesatarë në fushën e lojës, të qenit popullorë dhe pasja e një statusi të lartë, çon në paga më të larta për të njëjtat nivele të performancës. Kjo sugjeron se për të maksimizuar pagën e tyre, lojtarët mund të përpiqen të rrisin profilin dhe popullaritetit të tyre.
Për shembull përmes mediave sociale dhe shtypit. Në fakt, popullariteti nuk varet domosdoshmërisht nga performanca e lojtarëve, por mund të përcaktohet nga jeta e tyre “publike”, e cila rrit dukshmërinë e tyre.
Këto zbulime mbi të famshmit, janë veçanërisht të rëndësishme jo për performuesit më të mirë në këtë sport, të cilët ende mund të marrin nivele të larta pagash dhe dukshmërie, por për më shumë lojtarë “mesatarë”, të cilët mund të fitojnë më shumë përmes një menaxhimi profesional të profileve të tyre të mediave sociale (Facebook, Instagram, TikTok, etj.).
Për më tepër, dukshmëria më e lartë publike për këta lojtarë, mund të përkthehet në të ardhura më të larta për klubin (për shembull përmes marketingut). Për më tepër, rezultatet e studimit tonë tregojnë se pasja e një statusi më të lartë, mund t’i “mbrojë” disa futbollistë nga ndryshimet negative në performancën e tyre në fushën e blertë.
Për shembull: lojtarët me një status të lartë (dhe që luajnë rregullisht për ekipin e tyre kombëtar) duket se janë më pak të ekspozuar ndaj vëzhgimit (nga tifozët dhe gazetarët).
Sapo fitohet një status i caktuar, ai pritet të mbetet i qëndrueshëm, edhe përballë rënies së cilësisë ose performancës.
Pra studimi ynë tregon se shpërblimi i një lojtari, përcaktohet më pak nga performanca kur ai luan rregullisht për kombëtaren, dhe më shumë nga statusi që ai ka. Ky rezultat është veçanërisht i rëndësishëm për lojtarët që në fundin e karrierës së tyre, mund të presin një rënie të performancës së tyre, apo të kenë më pak motivim për të luajtur.
Ata mund të përfitojnë sërish një pagë më të lartë, bazuar në cilësinë e performancës së dikurshme. Lojtarë të tillë si Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ofrojnë një nivel performance që garanton nivelin e tyre të pagës, në mënyrë që ata të jenë të famshëm dhe të kenë status të lartë, sepse janë lojtarë në nivele të larta, megjithëse mund të presim që në pjesën e fundit të karrierës së tyre, performancat e tyre të jetë më pak mbresëlënëse. /
“The Conversation” – Bota.al