Një grup i madh aktorësh dhe yjesh të Hollywood-it do të zhvillojnë këtë të shtunë, 15 nëntor, një audiencë të posaçme me Papa Leonin në Vatikan. Mes tyre janë aktorët Cate Blanchett, Monica Bellucci, Chris Pine dhe Adam Scott, si edhe regjisorët e njohur Spike Lee, George Miller dhe Gus Van Sant.
Takimi organizohet në kuadër të aktiviteteve kulturore të Vitit të Shenjtë, por vëzhguesit e Vatikanit mendojnë se ai synon edhe rritjen e profilit publik të Papa Leonit.
Leoni, prej vetëm gjashtë muajsh në detyrë, konsiderohet një figurë më e qetë dhe më pak karizmatike se Papa Françesku, ndaj Vatikani ka nisur menjëherë ndërtimin e imazhit të tij përmes takimeve me personalitete të njohura nga sporti dhe arti. Ai tashmë ka pritur tenistin Jannik Sinner, aktorin Al Pacino dhe këngëtaren Laura Pausini. Sipas analistëve, shfaqja e Papës në hapësirat e kulturës popullore është një mënyrë efektive për ta bërë atë të njohur për publikun e gjerë.
Në prag të takimit me aktorët, Papa Leoni bëri publike edhe filmat e tij të preferuar, që variojnë nga klasiket The Sound of Music dhe It’s a Wonderful Life, te Ordinary People dhe Life Is Beautiful. Gazetarët ndërkombëtarë theksojnë se këto audienca sjellin PR pozitive për të dyja palët si për Papën, ashtu edhe për artistët që kërkojnë vëmendje mediatike.
Ndërkohë, krahasimet me Papa Françeskun mbeten të pashmangshme. Edhe Françesku gjatë papatit të tij përdori takimet me komedianë e aktorë të njohur për të përçuar mesazhe shprese dhe solidariteti, duke ndikuar fuqishëm në opinionin global. Në këtë kuptim, strategjia aktuale e Vatikanit shihet si një vazhdimësi, por e përshtatur për stilin më të qetë të Papa Leonit.




