Lojtari i Spanjës U21, Stefan Bajcetic, pritet të largohet nga Liverpooli para përfundimit të afatit kalimtar veror më 1 shtator.
20-vjeçari nuk ka luajtur fare që prej ardhjes së Arne Slot në “Anfield” verën e kaluar, me trajnerin e ri të “Të Kuqve” që miratoi menjëherë huazimin e tij te RB Salzburg në fillim të sezonit 2024/2025.
Megjithatë, pavarësisht pritshmërive të larta për të pasur një rol të rëndësishëm në Austri, ai nuk arriti të fitonte hapësirat e dëshiruara në Salzburg gjatë gjysmës së parë të sezonit, dhe Liverpooli vendosi ta rikthente në klub në fillim të vitit 2025.
Ky rikthim në “Anfield” zgjati pak, pasi Bajcetic u transferua menjëherë në formë huazimi te Las Palmas për gjysmën e dytë të sezonit, por edhe pas rikthimit të fundit, kampionët e Ligës Premier nuk kanë vend për të në skuadrën e Arne Slot.
Me hapësirat e kufizuara në ekip, Bajcetic ka kërkuar zyrtarisht të largohet, ndërsa Liverpooli është i gatshëm ta shesë, duke synuar të mbledhë fonde pas një vere me shpenzime të mëdha për ndërtimin e skuadrës së re të Slot.
Sipas raportimeve nga Estadio Deportivo, dëshira e Bajcetic është e qartë, ai dëshiron të rikthehet në La Liga në ditët e fundit të afatit kalimtar, me Gironan që është pranë arritjes së marrëveshjes.

Nga ana tjetër, Empire of the Kop shkruan se lojtari galician tashmë është rikuperuar plotësisht nga operacioni në muskujt e pasmë të kofshës që iu nënshtrua në qershor, por kjo nuk ka ndikuar në qëndrimin e trajnerit Slot, i cili mbetet i palëkundur në planifikimet e tij për mesfushën.
Pengesa kryesore për realizimin e transferimit mund të jetë struktura e marrëveshjes, pasi Liverpooli është i hapur si për një huazim njëvjeçar, ashtu edhe për një shitje përfundimtare.