Ederson ka folur për të ardhmen e tij tek Manchester City mes spekulimeve se mund të bëjë një transferim në Arabinë Saudite këtë verë.
Braziliani ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për Pep Guardiolën që prej se u transferua tek City nga Benfica në verën e vitit 2017 për shumën e 35 milionë eurove.
30-vjeçari ka qenë zgjedhja numër një e portës së ‘Qytetarëve’ që prej transferimit të tij në ‘Etihad’, ku deri më tani ka shijuar suksese të mëdha.
Reprezentuesi brazilian u paraqit në 43 ndeshje për Manchester Cityn sezonin e kaluar, ani pse numri dy i portës Stefan Ortega pati gjithashtu 20 paraqitje në të gjitha garat.
Ai ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Cityn, që do të thotë se klubi mund të konsiderojë ofertat e arsyeshme që vijnë në drejtim të tyre.
Ederson tani ka folur hapur për të ardhmen e tij tek City, pas humbjes me rezultat 3-2 ndaj Milanit në Amerikë.
“Nuk ka diçka definitive ende. Ta dëgjosh Pepin që flet ashtu është kënaqësi, është sezoni im i tetë dhe me të kam përjetuar momente të mira, gjithashtu edhe të këqija, është një djalë me të cilin është e lehtë të punosh, ai është një gjeni futbolli dhe të gjithë e dinë këtë. Kështu që më erdhi mirë t’i dëgjojë ato fjalë nga ai”.
“Unë jam i lumtur këtu, po jetoj momente të mira me bashkëlojtarët e mi, po e shijoj gjithashtu që po rikthehem në formë optimale fizike”.
“Jam shumë i qetë, çfarëdo që të ndodhë është në duart e Zotit dhe ai e di rrugën e duhur. Çfarëdo që ai më dhuron, unë do të jem i lumtur me të”, ka thënë Ederson./