Pas anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me 15 prokurorët e SPAK, ku ka përçuar mesazhe të rëndësishme.
Ambasada shprehet se është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua me 15 prokurorët e SPAK për t’iu shprehur vlerësimin për punën e palodhur në ekip dhe ndjekjet penale të shumta të suksesshme. Është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Klasa e BKH me 28 hetues të përkushtuar dhe të trajnuar mirë do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK. Së bashku, ata do u japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme dhe do modelojnë pavarësi dhe përgjegjshmëri. Së bashku, ata do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund,” shkruan Ambasada në faqen e saj në Facebook.
Ndërsa ambasadorja Kim, me anë një të postimi në Twitter thotë se SPAK ka filluar të japë rezultate që në dhjetor 2019, kur u krijua.
“U takuam me prokurorë për t’i falënderuar për arritjet që kur SPAK u krijua në Dhjetor 2019. Që atëherë, 250+ persona të dënuar dhe 80 milion € të konfiskuar (krahasuar me 20 milion € gjithsej 2011-2019). Kur SPAK çon një çështje në gjykatë, ata fitojnë 90% të kohës. Rezultate reale,” shkruan ambasadorja në Twitter.