Mosfillimi i bisedimeve për integrim në Bashkimin Europian, do të ndikojë jo vetëm në Maqedoni e Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kështu është shprehur në një intervistë për “Politiko”, kryeministri Zoran Zaev, i cili porositi se tashmë është koha që BE të mbajë premtimet e saj pa asnjë vonesë, duke shtuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar të gjitha detyrimet e saj.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar të gjitha detyrimet e saj. Komisioni e njohu përparimin në raportet e tij dhe ua bëri të qartë shumë udhëheqësve të vendeve anëtare se vendi ynë ka një rekomandim të pakushtëzuar për të filluar negociatat”.
Rritja e frustrimeve te qytetarët si pasojë e bllokimit të procesit integrues, Zaev tha se do t’i hap rrugën Rusisë dhe Kinës për ndikim në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu ai paralajmëroi se kjo situatë do të mund të reflektohet edhe në marëdhëniet dhe kontestet mes vendeve të tjera të rajonit.
“Nëse rruga e rajonit në BE ngadalësohet, kjo do të hap më shumë hapësirë për fuqitë e tjera, veçanërisht për Rusinë dhe Kinën. Nëse BE nuk i përmbush premtimet në këtë rajon kjo do të jetë nxitje më e vogël për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë zgjidhje në bisedimet e sponzoruara nga BE dhe do të jetë më pak e mundshme që Bosnja dhe Hercegovina të realizojnë reformat”.
Në intervistën nga Brukseli ku ndodhet në prag të vendimit për marrjen e datës, Zaev ka njoftuar gjithashtu se në BE dominon qëndrimi kundër ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria.