Kryeministri Zoran Zaev sot ka konfirmuar se me BDI-në nuk do të ofrojnë kandidat të përbashkët shqiptar për Kryebashkiak të Shkupit. Kjo deklaratë e Kryeministrit erdhi pas spekulimeve nëpër media se në zgjedhjet e ardhshme lokale partnerët e koalicionit qeverisës do të dalin me kandidat të përbashkët shqiptar për Shkupin dhe se kjo është edhe si kompensim për Kryeministrin Shqiptar.
“Padyshim se është në frymën e asaj që e punojmë si Qeveri, do t`I shihni detajet. Aspak nuk është biseduar për kandidat të përbashkët, për kompensim apo të ngjashme, bëhet fjalë për platforma, perspektiva, të ardhme etj”, tha Zaev.
Paraprakisht edhe integristët kishin mohuar informacionin se dy partitë do të dalin me kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale. Në opinion është lakuar emri I Imer Selmanit, por nga BDI-ja kanë thënë se ai nuk është anëtari I tyre.
Nga BDI-ja përmes një komunikate kanë njoftuar se të Shtunën në mesditë Kryetari Ali Ahmeti do t`I drejtohet të gjithë qytetarëve të vendit duke mos dhënë detaje tjera. Por ditët e fundit në statuset e funksionarëve më të lartë partiak defiloi një fotografi bojë jeshile e pastërt që për disa ditë u shoqërua me shenja pikësimi – pikëpyetje e tri pika.
Nga ana tjetër lideri I socialdemokratëve dhe Kryeministri Zaev tha se më 8 Qershor LSDM-ja do ta ketë Këshillin Qendror për zgjedhjen e shefit të shtabit republikan zgjedhor, kurse në gjysmën e dytë të qershorit do t`I fillojnë aktivitetet në terren. Kandidatët për Kryetarë Komunash do të bëhen publike kah fundi I verës.