Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, dje realizoi takim me liderët e partive nga koalicioni qeveritar në të cilin i njoftoi me arritjen e marrëveshjes me Alternativën, e cila është bërë pjesë e pushtetit ekzekutiv.
Kryeministri Zaev i njoftoi liderët e koalicionit me detajet nga marrëveshja me Alternativën, si dhe me përmbajtjen e dokumentit Parimet bazë për përmirësimin e programit të punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të precizohet dhe të sqarohet me qëllim që të bëhet pjesë përbërëse e programit të ri qeveritar.
Zaev në takim me partnerët e koalicionit ka thënë se “në këto momente kur më me rëndësi është funksionimi i institucioneve me kapacitet të plotë, marrëveshja e arritur është garanci se kemi shumicë e cila do të punojë në zgjidhjen e sfidave serioze aktuale siç janë sigurimi i vazhdimësisë dhe epilog i suksesshëm i procesit për fillimin e bisedimeve me BE-në, gjegjësisht gjetja e zgjidhjes me Republikën e Bullgarisë, më tej, ballafaqimi me pandeminë me KOVID-19 dhe kriza globale energjetike”.
Kryetari i Qeverisë Zaev informoi edhe për pjesën e marrëveshjes me të cilën Alternativa ndërmerr përgjegjësi për aktivitetet në disa ministri, institucione, njësi ose bordet rajonale në përputhje me parimet e paracaktuara për arritjen e marrëveshjes së zgjerimit të shumicës.
“I gjithë procesi i ruajtjes së stabilitetit të pushtetit qendror në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë të sigurohet në frymën e demokracisë dhe për qëllimet strategjike të vendit, por edhe sepse qytetarët nuk kanë nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme parlamentare, por për një periudhë stabile, për realizimin e prioriteteve nga programi qeveritar”, theksoi në takim kryeministri Zaev.