Nga të gjitha vendet e Evropës, “European Film Promotion” në mesin e dhjetëshes që do t’i prezantojë në edicionin e 67-të të “Sydney Film Festival” ka përzgjedhur edhe filmin “Zana” të Antoneta Kastratit. “Edhe pse për mua nuk është ideale që ‘Zana’ të shfaqet vetëm online, sepse është i krijuar për ekran të madh, unë megjithatë gëzohem kur disa festivale po gjejnë mënyra për të na mbështetur dhe që arti të vazhdojë të jetë pranë njerëzve qoftë edhe online”, ka thënë Kastrati
Është një film që i jep zë rrëfimit të pathënë të atyre që lufta ua këputi në mes rrjedhën e jetës. I ndërtuar mbi themele ngjarjesh të vërteta, filmi “Zana”, nën regjinë e Antoneta Kastratit, ishte vlerësuar nga kritika si një nga përpjekjet më serioze për të universalizuar dhembjen shqiptare.
Për rrugëtimin e tij po fryjnë erëra të mbara, pasi tani ai është përzgjedhur në mesin e dhjetë filmave dhe dokumentarëve evropianë që do të shfaqen në “Sydney Film Festival”. Lajmi është bërë i ditur pasditen e së mërkurës nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Sipas njoftimit të QKK-së, “filmat e përzgjedhur evropianë në këtë program do të shfaqen bashkë me filmat më të rinj australian në kuadër të edicionit të 67-të të filmit në Sidney”.
Një fotografi e regjisores Antoneta Kastrati tok me homologet e saj evropiane i është afishuar lajmit në faqen e “European Film Promotion” (EFP).
Në të pestin vit të bashkëpunimit mes këtij rrjeti dhe “Sydney Film Festival” (SFF), programit “Europe! Voices Of Women in Film” i është dhënë një vend i veçantë në edicionin e sivjetmë digjital të festivalit.