Është zbardhur ditën e sotme dëshmia e kreut të Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës, Elton Debreshi pasi makinës së tij iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli. Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar vëllai i Debreshit, shtetasi Alfred Debreshi pasi përgjimet kanë zbuluar se të dy kishin rënë dakord për të dhënë dëshmi të ndryshme para policisë. Ka dyshime se skena e tritolit është inskenuar nga vetë vëllezërit për të përfituar azil në Gjermani, apo ndonjë vend tjetër europian.
Sipas “BW” Debreshi ka deklaruar se nuk kishte dyshime për ‘autorin’ e ngjarjes, por sipas tij, arsyet e kësaj ngjarje mund të ishin një formë presioni që ai të mos denonconte më problematikat në miniera apo njerëzit që preken nga këto denoncime. Po kështu, në deklarimin e tij Elton Debreshi, ka shpjeguar se aktualisht ishte i papunë, por sipas tij kishte një shpresë për punë në Tiranë. Më tej ai ka treguar se kishte biseduar edhe me kushëririn e tij, Ervin Deda, i cili jeton në Gjermani, për të shkuar atje dhe po ashtu edhe me një shtetase tjetër për në Francë. Ai ka deklaruar se për këto opsione, kishte planifikuar si mundësi udhëtimi me gjithë familjen në njërin nga këto dy vende europiane.
Gjithashtu Elton Debreshi ka deklaruar se vëllai i tij kishte ndërmend të ikte në Gjermani tek kushëriri i tyre, E. Deda, pasi edhe ai ishte i papunë dhe në jetonin në kushte të vështira ekonomike. Ndërsa kur policia ka pyetur Alfred Debreshin në lidhje me ngjarjen, ai ka dhënë dy versione të ndryshme. Alfred Debreshi ka deklaruar se ditën e diel kishte në plan që të lëvizte në drejtim të Gjermanisë me shokët e tij, A,A. dhe S.S., ku sipas tij e kishin menduar që të niseshin me autobus dhe të qëndronin tek Ervin Deda, i cili jetonte në Gjermani. Nisur nga fakti se në thëniet dhe deklarimet e shtetasit Alfred Debreshi, ka patur mospërputhje ndërmjet tyre, lidhur me marrjen dijeni mbi ngjarjen.
Duke marrë shkas nga këto deklarime, janë krijuar dyshime se i implikuar në këtë ngjarje, mund të ishte shtetasi Alfred Debreshi dhe për këtë shkak, me qëllim sigurimin e provave dhe dokumentimin e ngjarjes, është proceduar me përgjimin ambiental të bisedave të të dy vëllezërve. Nga përgjimet rezulton se shtetasi Alfred Debreshi, është person i implikuar drejtpërdrejt në këtë ngjarje, pasi në bisedat e tij, ai disa herë i drejtohet vëllait të tij, Eltonit, me fjalët: “më fute në burg, me q… nënën”, “e din se m’ke çu më burg o plak”, “na q… nënën mor burr”.
Në përgjime është zbuluar se dy vëllezërit kanë komunikuar me njëri tjetrin edhe për faktin se kanë dhënë dëshmi të ndryshme në polici dhe kanë nisur të shqetësohen. Pas kësaj ata kanë planifikuar mënyrën se si duhet të deklarojnë më pas rreth ngjarjes, për faktin e fshirjeve të disa bisedave telefonike të cilat sipas tij mund t’i implikojnë si dhe për faktin se për shkak të implikimit do mbeteshin pa shkuar në Gjermani.