Policia e Gjirokastrës ka dhënë detaje në lidhje me rastin e efektivit të policisë në Këlcyrë, i cili dyshohet se kishte një raport intim me një të mitur.
Policia sqaron se ky i fundit është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ngacmuar të miturën, por lidhje intime me të ka pasur një tjetër person, i cili është arrestuar.
Ky i fundit, shtetasi me iniciale K. P., 46 vjeç dhe shoku i tij, shtetasi I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, po ashtu i arrestuar, dyshohet se kanë kanosur njerkun që t’iu jepte 1 000 000 lekë, për të mos i publikuar video me përmbajtje intime.
Ndërkohë në pranga është vënë edhe njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, për rreth 3 vjet, të miturën.
Po punohet intensivisht, në bashkëpunim me homologët grekë, për lokalizimin dhe kapjen e 53-vjeçarit, punonjësi policisë që dyshohet se ka ngacmuar 16-vjeçaren, i cili nga verifikimet rezultoi se është në Greqi.
Gjithashtu, në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Më tej, me qëllim trajtimin e plotë ligjor dhe të paanshëm të këtij rasti, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë. E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.
Në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me AMP-në, Policia e Gjirokastrës vijon hetime të thelluara për të individualizuar dhe provuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.