Zbardhet kërkesat e 47-deputetëve të opozitës, të cilët kërkojnë të ndryshohet përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Në një kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni Ambasadorëve të Quint-it dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, 43 deputetët e PD të grupimit Bardhi-Berisha, 3 deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputeti i PD Agron Shehaj, i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit të procedojë me ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
47 deputetët e opozitës, të cilët së bashku me 7 deputetët e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrim që kanë caktuar Shpëtim Idrizin si anëtarë të tyre, përbëjnë shumicën absolute të deputetëve të opozitës, kanë theksuar se përveç faktit që Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në një letër të gjatë deputetët e opozitës kanë shpjeguar në detaje sesi puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore u bllokua për rreth 2 vite nga bashkëkryetarët aktual. “Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021”- thuhet në shkresë