Zbardhet ligji i ri- Sekuestrimi i monedhave virtuale dhe konfiskimi i ndërtimeve pa leje, forcohet roli i Agjencisë së Administrimit të Pasurive

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ministria e Brendshme ka çelur zyrtarisht procesin e konsultimit publik për projektligjin e ri që do të ndryshojë mënyrën se si shteti administron pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara. Institucioni fton qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe grupet e interesit të dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ndryshimet në ligjin nr. 34/2019.

Ftesa për kontribut

Ministria thekson se mirëpret çdo komente që lidhet me efektet e mundshme të zbatimit të këtij ligji në praktikë, si dhe ide që rrisin efektivitetin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Risitë, nga kriptomonedhat tek ndërtimet pa Leje

Projektligji, i hartuar nga AAPSK dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme, synon të zgjidhë disa ngërçe ligjore të hasura vitet e fundit.

Një nga sfidat kryesore ka qenë mungesa e rregullave për administrimin e kriptomonedhave. Ligji i ri parashikon rregulla specifike për këto asete digjitale, të cilat gjithnjë e më shpesh po sekuestrohen nga organet e drejtësisë.

“Përveç pasurive që vijnë nga vendimet e gjykatave, Agjencia do të administrojë tashmë edhe pasuritë e sekuestruara nga organet administrative dhe bashkitë, duke përfshirë këtu në mënyrë specifike ndërtimet pa leje”, thuhet në njoftim.  

Shitje më e shpejtë, më shumë të ardhura

Një tjetër objektiv madhor është shkurtimi i procedurave burokratike. Projektligji synon të minimizojë kohën e shitjes së pasurive të sekuestruara. Kjo, sipas hartueve të projektligji, pritet të sjellë rritje të të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe fondet e posaçme sociale, “duke realizuar kështu qëllimin final: rikthimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit”.

“Për pasuritë që janë ende në statusin “sekuestro” (pa vendim të formës së prerë), shpenzimet e administrimit do të bëhen bazuar në studimin e tregut, ndërsa për ato të konfiskuara (pronë e shtetit), do të ndiqen procedurat e prokurimit publik.”,theksohet në projektligj.

Ligji i jep Agjencisë të drejtën të negociojë dhe të lidhë kontrata për shitjen, dhënien me qira, huapërdorjen apo enfiteozën për këto pasuri.

Projektligji do të kalojë për mendim edhe në Ministrinë e Drejtësisë, Financave, Ekonomisë, atë të Energjisë, si dhe tek Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, para se të marrë formën përfundimtare.

Share This Article