Pas afro gjashtë muajsh hetime, autoritetet italiane kanë zbardhur vrasjen e 58-vjeçarit shqiptar Fatos Cenaj, i cili u ekzekutua me një plumb në kokë më 8 qershor në Fontanaviva, provinca e Padovës. Ngjarja, që fillimisht u konsiderua enigmatike, ka çuar tashmë në arrestimin e autorit të dyshuar, fqinjin e viktimës, një 45-vjeçar vendas.
Trupi i pajetë i Fatos Cenajt u gjet në një rrugë rurale, jo shumë metra larg banesës ku ai jetonte me familjen. Viktima, ish-punonjës i policisë së burgjeve në Shqipëri, kishte vite që ishte shpërngulur në Itali dhe njihej si person me të kaluar të pastër dhe jetë të qetë familjare.
Kthesa vendimtare në hetim erdhi nga analiza e pamjeve filmike të mëngjesit të krimit. Kamerat e sigurisë fiksuan një çiklist të vetëm, i veshur në mënyrë të pazakontë për një ditë vere, me helmetë, syze dielli, maskë respiratore dhe mëngë që imitonin tatuazhe në të dy krahët. Hetuesit zbuluan se këto “tatuazhe” ishin të rreme, pjesë e një përpjekjeje për të fshehur identitetin.
Duke ndjekur gjurmët e sendeve të përdorura, karabinierët zbuluan se maska dhe mëngët artificiale ishin porositur online nga vetë fqinji i viktimës. Po ashtu, ai kishte blerë bojë për të ndryshuar ngjyrën e biçikletës dhe materiale për prodhimin artizanal të armëve dhe municioneve.
Gjatë një kontrolli të kryer në muajin korrik, autoritetet sekuestruan biçikletën e të dyshuarit dhe gjetën plumba të prodhuar në shtëpi, disa prej të cilëve ishin përdorur për prova. Njësia speciale nga Parma konfirmoi përputhjen mes mbetjeve të armës që vrau Cenajn dhe gjurmëve të gjetura në biçikletë.
Edhe pse marrëdhëniet mes viktimës dhe fqinjit kishin qenë të tensionuara, ato përshkruheshin si debate të vogla. Tashmë, 45-vjeçari ndodhet i arrestuar në burgun “Due Palazzi” në Padova, ku përballet me akuzën e vrasjes së rëndë.




