Zelanda e Re pritet t’i zbarkojë 120 trupa në Britani, që të ndihmojnë në trajnimin e ushtarëve ukrainas për vijën e parë të frontit.
Kjo lëvizje do t’i mundësojë dy ekipeve të trajnimit, që t’i mësojnë ushtarët ukrainas në përdorimin e armëve moderne dhe dhënien e ndihmës së parë, transmeton Telegrafi.
Trajnimi i rreth 800 ushtarëve ukrainas do të zhvillohet në katër lokacione të Britanisë, kurse personeli ushtarak i Zelandës së Re nuk do të udhëtojë për në Ukrainë që t’i trajnoj atje, thuhet në kumtesën e qeverisë së këtij vendi.
Duke folur para gazetarëve, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se është e qartë se sulmi mbi sovranitetin e një vendi dhe humbjet e jetëve të civilëve është shumë e gabuar dhe e patolerueshme.
“Përkushtimi ynë do të vazhdojë dhe gjithmonë do t’i mbështesim në momentet më kritike”, shtoi Ardern. Ajo gjithashtu theksoi se trupat e Zelandës së Re nuk ka qenë dhe nuk do të përfshihen as tani në luftën në Ukrainë.