Skanimi i parkut arkeologjik të Lezhës ka sjellë të dhëna të reja për qytetin antik.
Rezultatet tregojnë se Akrolisi nuk i përket epokës së bronzit, siç ishte menduar më parë, por është një fortifikim i shekujve të katërt dhe të pestë para erës sonë.
“Akrolisi është konsideruar një fortifikim i kohës së bronzit. Nuk është i tillë. Është i periudhës protourbane të shekullit V–IV dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës, i cili u zhvillua ku është sot Kalaja, pak kohë më vonë, në fillim të shekullit të pestë dhe gjatë shekullit të katërt, për t’i dhënë jetë, në fund të shekullit të katërt, qytetit antik të Lezhës. Pra, kjo është një kronologji e re,” u shpreh arkeologu Neritan Ceka.
Zbulimet u prezantuan në takimin e grupit të punës, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu. Ai përsëriti kërkesën që parku arkeologjik të kalojë nën administrim të pushtetit vendor.
“Gjithë objektet historike, kulturore që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore, duhet të jenë nën administrimin e Bashkisë, duke qenë se ne jemi çdo ditë këtu dhe merremi me gjithçka,” tha kryetari i Bashkisë Lezhë.
Pas dokumentimit të zonave me potencial arkeologjik, pritet të nisin ekspeditat kërkimore. Qëllimi është që Lezha të kthehet në epiqendër të gërmimeve arkeologjike në vend.