Auron Tare, specialist i trashëgimisë kulturore, denoncoi mënyrën se si trajtohen fondet për arkeologjinë në Shqipëri.
Në një postim në Facebook, ai vlerëson punën e një ekipi modest të Institutit të Arkeologjisë, që përbëhej nga dy arkeologë, njëri me eksperiencë të gjatë dhe njëri i ri, të ndihmuar nga 7 studentë masteri, me një buxhet të cilin Tare e quan “qesharak” – vetëm 7 milionë lekë të vjetra për një zbulim të rëndësishëm historik si Varri Monumental në Bulqizë.
Sipas Tares, organizata joqeveritare CHwB, pjesë e projekteve të Fondit 2.4 milion euro të Bankës Botërore për interpretimin turistik të Kalasë së Kaninës, Borshit dhe Shpellës së Spilesë, shpenzon miliona për projekte që ai i konsideron plagjiaturë dhe të realizuara kryesisht për të kapur fonde.
“Tani, përpara se të fillojmë ‘korret patriotike’ në Facebook dhe shqiponjat me duar, duhet të kërkojmë llogari për fondet që humbasin në zyrat e burokracisë,” shkruan Tare, duke theksuar kontrastin e thellë mes investimeve minimale për zbulimet shqiptare dhe miliona eurove të harxhuara për projekte të dyshimta.
Shpella e Spilesë dhe Varri Monumental në Bulqizë.
Zbulimi i Varrit Monumental në Bulqizë, për të cilin po shkruajne të gjithë këto ditë, është bërë nga një ekip modest i Institutit të Arkeologjisë. Dy arkeologë njëri më eksperiencë të gjatë. Tjetri një arkeolog i ri. Të ndihmuar nga 7 studentë të masterit. Me një buxhet qesharak që vetëm Shteti Shqiptar mund ta japë për shkencëtarët e vetë.
Ndërkohë OJF që i shërbejnë Ministrit të rradhës për të kapur fonde ne Kulturën dhe Trashëgiminë Kulturore janë pjesë e Fondit 2.4 milion eur të Bankës Botërore për Interpretimin Turistik të Kalasë së Kaninës, Borshit dhe Shpelles së Spilesë. Projekt plagjiaturë nga Kina i prezantuar nga Institucionet Zyrtare realizuar nga dy OJF të quajtura CHwB. Prandaj përpara se të fillojmë korret patriotike në FB dhe shqiponjat me duar, duhet të kërkojmë llogari se cfarë bëhet me këto fonde që humbasin zyrave të burokracisë.
2.4 milion euro për projekte plagjiature dhe 7 milion lek të vjetra për një ekspeditë shqiptare me zbulime të rëndësishme historike. Besoj se shumëkush është i aftë të kuptojë ku jemi”, shkruan Tare.