Fosilet e një breshke gjigante me përmasat e një automobili janë gjetur në Amerikën Jugore.
Fosilet e breshkës, të quajtur “Stupendemys geographicus”, që besohet të kenë jetuar midis 7 deri 13 milionë vite më parë, u gjetën në shkretëtirën Tatacoa të Kolumbisë dhe rajonin Urumaco të Venezuelës, raportoi BBC.
Fosilet e para të këtij lloji të breshkave u gjetën në vitet 1970, por akoma mbetën shumë mistere në lidhje me këtë kafshë të gjatë katër metra.
Supozohet se këto kafshë, madhësia dhe pesha e të cilave arrinte përmasat e një automobili, kanë banuar në këneta të mëdha në të gjithë veriun e Amerikës Jugore, shumë përpara se të ekzistonin lumenjtë Amazona dhe Orinoko.
Shkencëtarët thonë se ata gjetën një mburojë tre metra të gjatë dhe një kockë të nofullës së poshtme, e cila jep informacione për mënyrën se si janë ushqyer këto kafshë.
Ata besojnë se breshkat gjigante jetonin në fund të liqeneve dhe lumenjve, së bashku me krokodilat gjigantë dhe ushqeheshin me kafshë, bimë, fruta dhe farëra më të vogla.
Studiuesit thonë se madhësia e kafshës ishte e rëndësishme për t’u mbrojtur nga grabitqarët./ATSH/