Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se Policia e Kosovës ka zbuluar të martën një bazë armatimesh në veri të vendit, në Zveçan.
“Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku kishte botuar edhe fotografi nga armët e sekuestruara.
“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”.
Sipas tij, Veriu po i rikthehet normalitetit pasi për 20 vite ka qenë strehë e organizatave kriminale e kriminelëve të financuar nga Beogradi.
“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”.