Prej ditës së djeshme publiku në Shqipëri u informua mbi një marrëveshje të re të qeverisë Rama me qeverinë e Melonit në Itali. Sipas raportimeve joshteruese të medieve italiane dhe burimeve të kursyera shqiptare, rreth 36 mijë emigrantë priten të strehohen në dy kampet që sipas tyre do të ngrihen në Shëngjin dhe Gjadër.
Gogo.al publikon marrëveshjen e pazbuluar deri më tani mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Ajo që mësohet është se marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera dhe për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët, ashtu sikurse do ndërtohet nga italianët edhe struktura për akomodimin e personelit shqiptar ndihmës.
Shpenzimet për këtë vendim politik, siç edhe është raportuar deri më tani do të përballohen nga Italia, po sa është shuma e gjithë këtij operacioni? Italia do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Po kështu Italia merr përsipër 100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore dhe barnave, përfshirë vaksinat, për të cilat Shqipëria dokumenton përdorimin si dhe 100% të kostos së blerjes, të aprovuar më parë nga autoritetet italiane, të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme
Po çfarë vë në dispozicion Shqipëria përveçse tokës dhe kujdesit shëndetësor kur po mësohet se të gjitha shpenzimet do paguhen nga Italia në shumën 16.5 milionë euro? Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura. Çështja e emigrantëve shfaqet komplekse ku duket se një sërë parashikimesh zënë vend edhe në marrëveshjen mes dy shteteve, teksa përfshihen potencialisht edhe angazhime ligjore për mbrojtje para gjykatave ndërkombëtare. Kostot e të cilave, dihet, i merr Italia por mbetet ende një pikë që ngjall debat, mjafton të kujtojmë dështimet spektakolare që Shqipëria ka bërë në gjyqet ndërkombëtare. Burime konfidenciale në Shqipëri konfirmojnë për Gogo.al se një sërë përfitimesh do të vijnë me këtë marrëveshje që qytetarët i gjeti të painformuar pas mohimeve të vetë kryeministrit se do të pranonte ndonjëherë emigrantë në Shqipëri. Pas perdeve po diskutohet gjenerimi i disa projekteve ambicioze për vendin tonë me mbështetjen e italianëve. Ajo që parashikohet të ndodhë tjetër, thonë burimet, janë miliona euro që do të përfitojnë për pensionet rreth 500 mijë shqiptarë në Itali.