Sulmuesi i armatosur që vrau tetë persona në disa qendra masazhi në Georgia të Shteteve të Bashkuara i kishte vizituar vetë ato më parë dhe i fajësonte për krijimin e varësisë nga marrëdhëniet seksuale, tha policia.
Robert Aaron Long, 21 vjeç, qëlloi për vdekje tetë persona, përfshirë tri gra aziatike, në tri qendra masazhi. Ai më pas iku nga vendi i ngjarjes dhe u nis drejt Floridës për të sulmuar qendra të industrisë së pornografisë, kur u arrestua 150 milje në jug të Atlantas. Policia u detyrua t’ia nxirrte veturën nga rruga për ta arrestuar.
Jo të gjitha viktimat ishin pjesë e stafit të qendrave të masazhit. Miqtë e njërës prej grave të vrara thanë se ajo ishte kliente dhe kishte shkuar aty me bashkëshortin, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Fillimisht, policia tha se ishte duke hetuar nëse raca ishte motiv i sulmuesit, sepse gjashtë nga tetë viktimat ishin gra me prejardhje nga Azia.
Megjithatë, më vonë policia tha se sulmuesi u ka thënë që kjo nuk ka qenë arsyeja e sulmit. Sipas tij, ai është i varur nga marrëdhëniet seksuale dhe pornografia dhe dëshiroi që ta zhdukte joshjen që ia shkaktojnë qendrat e masazhit.
Sulmuesi bleu një pistoletë 9-milimetërshe vetëm disa orë para sulmit masiv. Ai ishte nisur drejt Floridës për të kryer më shumë sulme.