Një dokument i deklasifikuar së fundmi në Britani, sipas mediave vendase tregon se në rast të një sulmi bërthamor ndaj vendit, mbretëresha dhe familja mbretërore do të vendoseshin në një bunker sekret ose në një super-jaht që do t’i largonte nga rreziku.
Planet sekrete tregojnë se në rast të një përplasjeje bërthamore, megjithse asnjë nuk do të shpëtonte i paprekur, mbretëresha dhe familja mbretërore britnaike do të kishin të gjithë kujdesin e nevojshëm brenda “ambjenteve të sigurta.”
Zhvillimet vijnë në kohë tensionesh mes Britanisë dhe Rusisë pas nisjes së sulmit të Moskës ndaj Ukrainës më 24 shkurt.
Pak para nisjes së sulmit Putin paralajëmroi perëndimin se nëse ndërhynte në inkursionin rus, do të përballej me “pasoja të papara ndonjëherë në histori”, duke shtuar spekulimet se i referohej përdormit të armëve bërthamore.
Në Britani, kështjella mbretërore Windsor ka shërbyer si një bunker gjatë kohës së Luftës së Ftohtë për familjen mbretërore.
Nën dhomat zyrtare të kështjellës, një qilar i thellë është konvertuar në bunker bërthamor kur frikat e Luftës së Ftohtë nisën të përhapeshin pas krizës së raketave kubane në vitin 1962.
Një sensor i presionit të bombës është instaluar në kopshtet e kështjellës, me të cilin shkencëtarët monitorojnë valën e shëprthimit apo deri ku është përhapur shkatërrimi.
Megjithse rregullat e plota të shpëtimit bërthamor për mbretërorët nuk njihen, dokumenti hedh njëfarë drite mbi procedurat e situatës.
Në dokumentin me titull ‘Operation Candid’, thuhet se mbretëresha dhe të afërmit duhet të shpërndahen në shtëpi fshati larg Londrës, por jo rezidenca të njohura mbretëtore.
Nëse do të kishte kohë të mjaftueshme ata do të zhvendoseshin në jahtin Royal Yacht Britannia.
Plani përfshin dhe fshehjen e mbretëroreve në malësitë e Skocisë, pak e shumë në stilin e legjendës skoceze të përbindëshit te liqenit ‘Loch Ness’, shkruan me ironi e perditshmja DailyStar.
Në rast të vdekjeve të deputetëve në luftë, mbretëresha do të aftësohej të emëronte një kryeministër të ri, sipas kompetencave si monarke.
Dy ministra të qeverisë dhe një anëtar i lartë i familjes mbretërore do të qëndronin me të për të krijuar Këshillin e Lartë që do të caktonte emërimet.
Ky është versioni i planit sipas dokumentit të 60-vjetëve më parë dhe nuk dihet nëse statusi i tij është përditësuar sipas kushteve moderne.
Jahti mbretëror në fakt është zhveshur nga kompetencat në vitin 1997, prandaj një tjetër mjet detar duhet të përdorej, ndoshta një nëndetëse, sipas mediave britanike.
Edhe vdekja e bashkëshortit të mbretëreshës vitin që shkoi ka bërë që një tjetër anëtar i familjes të mbetet gjatë gjithë kohës me të në evakuimet e emergjencës.