Tedi Blushi në një dalje për mediat, ka denoncuar atë që e quan si një skandal të madhe të Rilindjes.
Sipas Blushit, persona nga Rilindja, pas vjedhjes së të dhënave të 920 mijë qytetarëve, me metoda bashkëkohore në fushën e teknologjisë, po nisin mesazhe nga kompjuteri, sikur këto nisen nga Presidenti Meta.
Blushi: Në emër të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënoj me forcë konsumimin e veprës penale të keqpërdorimit të mesazheve telefonike, gjoja në emër të Kryetarit të Shtetit, nga disa persona të identifikuar, që sipas të dhënave të siguruara, kanë dërguar këto ditë mesazhe me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në adresë të disa qytetarëve. Këto akte të dëshpëruara, kanë autorësinë e atyre të cilët i blenë dhe i vodhën mandatet e deputetëve më 25 Prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot.
Blushi bëri me dije se deri tani janë denoncuar dhjetëra SMS që iu shkojnë njerëzve të ndryshëm nëpër Shqipëri, edhe ambasadave, sikur janë nisur nga numri i celularit të Presidentit të Shqipërisë.
Blushi: Për këtë skandal kriminal të keqpërdorimit të numrit të Presidentit të Republikës do kërkohet hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar, pasi nëse institucionet tona do të ishin funksionale askush nuk do të guxonte të bënte akte të tilla të çmendura dhe të dënueshme ligjërisht, që mund të venë në rrezik serioz edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Është pikërisht organizata e Rilindjes, që në mënyrë mafioze dhe të paligjshme rrëmbeu të dhënat personale të të gjithë qytetarëve për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi.
Më herët ishte deputeti Lefter Maliqi ai që e denoncoi një gjë të tillë duke nxjerrë edhe foton e një personi që dërgonte SMS në emër të presidentit.
Maliqi: Skandal ky është Jurgen Pilkati IT i Nasip Nacos sipas te dhënave qe me çon mua dhe disa te tjereve mesazh fyes ne emër te Presidentit. Uroj qe këto te zbardhen nga organet e drejtësisë. Çdo skenar i tille do u dal boja shpejt, siç do u dal boja krimit mafioz elektoral te mirëorganizuar për blerjen masive te votuesve te LSI nga parat e krimit, drogës dhe oligarkeve. E drejta do triumfoj mbi këtë manipulim dhe krim elektoral.
Mësohet se presidenca do bëjë padi urgjente në SPAK që të kapen autorët, sepse nëse duan prokurorët, që siç kanë këto persona teknologji, ka edhe prokuroria për ti gjetur./Ora News/