Zëdhënësja demokrate e ekipit të Belind Këlliçit, Silvi Bardhi, është shprehur se qytetarët po intimidohen dhe po orientohen për votën e tyre. Sipas saj, votuesit po marrin fletë votimi me shenjë, për pasojë i bën thirrje KQZ-së dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjë. Ajo denoncon për prezencë të njerëzve që nuk janë as votues e as pjesë e procesit, që sipas saj, po i ushtrojnë presion qytetarëve.
“Ka një prezence të pajustifikuar njerëzish këtu, që nuk janë as votues, as pjesë e procesit. Janë thjesht në rolin për të bërë presion, e për të ndikuar votuesit. Po ashtu, kemi informacion se drejtoresha e Veliajt, Zhaneta Beqiri, po kërcënon komisionerët e opozitës te Shkolla “Luigj Gurakuqi”.
I kërkojmë KQZ-së dhe Policisë së Shtetit të ndërhyjë menjëherë, e të sjellin normalitetin te këto qendra votimi. Kemi raportime për fshirje të bojës, ose për vendosje shenjash në fletë votimi të atyre që njihen si votues demokratë. Shkelje të rënda dhe këto, për të cilat KQZ-ja duhet të marrë masa. I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të mos ndikohen nga këto tentativa të Rilindjes, opozita do të ruajë çdo votë, do të garantojë vullnetin e lirë të çdo qytetari. Dilni dhe votoni masivisht”, tha Bardhi.