Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka dhënë një mesazh të qartë Rusisë në ditën e saj të Pavarësisë, ku thotë se “nuk do t’i dorëzojmë tokën tonë pushtuesit”.
Në ceremoninë për festën kombëtare të flamurit në Ukrainë, Zelensky hodhi poshtë mundësinë e prekjes së territoreve apo ndryshimit të kufijve me Rusinë në kuadër të një marrëveshje paqeje.
“Ky flamur është qëllimi dhe ëndrra për shumë nga njerëzit tanë në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës. Dhe ata e ruajnë këtë flamur, e mbajnë të sigurt, sepse e dinë. Ne nuk do t’ia dorëzojmë tokën tonë pushtuesit“, tha Zelensky.
Mundësia për “falje” të territoreve ishte një nga kërkesat e Rusisë për t’u ulur për gjetjen enjë armëpushimi dhe iu komunikua Zelenskyt gjatë takimit të tij me Donald Trump dhe liderët evropianë të BE dhe Britanisë në Shtëpinë e Bardhë.
Trump i parapriu takimit duke thënë se Krimea dhe anëtarësimi në NATO i Ukrainës duhet të harrohen, ndërsa në zyrën ovale tërhoqi vëmendjen një hartë me territoret e pushtuara të Ukrainës.
BE këmbëngul në kundërshtimin e kësaj kërkese ndaj Ukrainës. Shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se lënia e territoreve të pushtuara Moskës do të krijonte një precedent të rrezikshëm, pasi agresioni do të shpërblehej me territore në një përpjekje paqeje.
Ndërkohë SHBA është në pritje të një takimi të mundshëm Putin-Zelensky, edhe pse ka pak gjasa që të ndodhë. Trump tha se do të shohë mundësinë sanksioneve apo masave të tjera ndaj Rusisë nëse takimi nuk do të ndodhë.
Në kuadër të festës së flamurit, Kievin e viziton këtë të shtunë, Keith Kellog, i dërguari special i Donald Trump.