Presidenti ukrainas Volodmyr Zelensky ka udhëtuar të premten (24 tetor) drejt Londrës për t’u takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, së bashku me aleatë të tjerë për të diskutuar mbi gjetjen e mënyrave për të ushtruar më shumë presion mbi Rusinë.
Presidenti ukrainas e ka nisur vizitën e tij në Kështjellën Windsor, ku u prit me përshëndetje mbretërore dhe himnin kombëtar ukrainas, ndërsa u takua edhe me Mbretin Charles III.
Kjo është hera e tretë që Presidenti Zelensky dhe Mbreti Charles takohen gjatë këtij viti. Në mars, Zelensky u takua me Mbretin në Sandringham, pasi mori pjesë në një samit të liderëve evropianë të fokusuar në përfundimin e luftës në Ukrainë. Takimi zgjati pak më shumë se një orë dhe Presidenti Zelensky u prit “ngrohtësisht” nga monarku. Më pas, në muajin qershor, Mbreti priti sërish Zelenskyn në Kështjellën Ëindsor.
Kujtojmë se më herët Mbreti Charles III ka shprehur mbështetje për Zelenskyn dhe Ukrainën, duke thënë se vendi ka përjetuar “agresion të papërshkrueshëm” pas “sulmit të paprovokuar” të Rusisë në tokën e tyre.




