Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se presidentit rus Vladimir Putin duhet t’i bëhet “presion” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Komentet u bënë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë ku Zelensky falënderoi mikpritësit e tij dhe përgëzoi Donald Trump për marrëveshjen e arritur për armëpushimin në Gaza.
“Besoj se mund ta përfundojmë këtë luftë me ndihmën tuaj,” u shpreh Zelensky në drejtim të ish-presidentit amerikan. Ai shtoi se Rusia nuk po ka shumë suksese në fushën e betejës, ndërsa theksoi se Ukraina është e gatshme të bisedojë në çdo format për të arritur një armëpushim.
Nga ana tjetër, Donald Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike mbi dy orëshe me Putinin, ku sipas tij, presidenti rus është i interesuar ta përfundojë luftën.
“Diskutuam shumë detaje. Mendoj se edhe Presidenti rus dëshiron t’i japë fund. Tani duhet ta përfundojmë,” u shpreh Trump.
I pyetur për kërkesën e Ukrainës për raketa me rreze të gjatë veprimi, të tilla si Tomahawk – që mund të godasin objektiva deri në 2,000 km larg Trump e quajti një hap potencialisht përshkallëzues.
“Do të flasim për këtë,” tha ai. “Është një përshkallëzim, por do të flasim për të”.
Zelensky gjithashtu bëri të ditur se ka zhvilluar takime me disa kompani amerikane të energjisë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të investuar në Ukrainë pas përfundimit të luftës.