Në aktin e dytë të mrekullisë, Ballkani i Ilir Dajës thyen pastër 2-0 Dinamo Zagreb duke ndezur edhe më shumë ëndrrën e një populli për të rishkruar historinë. Me këtë sukses, ekipi nga Suhareka ngjitet në vendin e dytë me 3 pikë në 2 ndeshje, 3 më pak se vendi i parë i cili mbahet Plzen. Ilir Daja, arkitekti i këtij ekipi fantastik, konfirmohet si një “mace e zezë” për gjigandët kroat, pasi i eliminoi me Skënderbeun e tij të famshëm tani i shkakton një humbje të rëndë. Ballkani zhvilli një ndeshje perfekt në çdo aspekt, krijoi 9 raste për gol, goditi 4 herë kuadratin, 2 prej të cilave i dërgoi në rrjetë.
Në fundin e pjesës së parë, me një predhë në lëvizje, Kryeziu dërgoi topin në rrjetë, festën në stadiumin Fadil Vokrri e ktheu sistemi VAR pasi gjyqtari i takimit fillimisht e anuloi për pozicion jashtë loje. Kampionët e Kosovës nuk i lejuan asgjë kundërshtarit ndërsa në minutën e 83-të, Hamidi dyfishoi shifrat duke kompletuar suksesin e pastër të Ballkanit.
Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore, as trajneri Ilir Daja: “E gjithë merita përsëri u shkon lojtarëve të mi. Në këtë kohë me shi, në një terren të rrëshqitshëm për të dy ekipet, ata vunë gjithçka, vunë zemrën, vunë karakterin që nuk dorëzohen kurrë. Merita u shkon lojtarëve. Sa i përket planit tekniko-taktik, ne e dinim që kishim një ekip goxha të mirë si Dinamo e Zagrebit. Me shumë eksperiencë dhe me lojtarë me nivel goxha të mirë. Por nuk i lamë shumë shanse të na vinte përpara portës. Edhe pse në disa momente lëshuam goxha territor. Të përballosh Dinamon do të kesh edhe problematika në lojë. Kishim probleme me Hamidin, ka qenë i dëmtuar. Vetëm në momentet e fundit vendosëm ta mbanim në pankinë, sepse ka patur probleme me dëmtimet për dy ditë. Meqë e kam këtu përgëzoj Zybën për lojën e mirë, përveç gjithë të tjerëve. Jemi të kënaqur, por do të mundohemi të vazhdojmë me këmbë në tokë. Sepse vetëm me një përkushtim dhe karakter të tillë mundet të zbusim pak diferencat që kemi me ekipet e tjera”, theksoi Daja.